Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasadori kinez në Shqipëri Zhou Ding i dorëzon palës shqiptare materialet antiepidemike
2020/04/27

Më 25 prill arritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës materialet e ndihmës së qeverisë kineze për Shqipërinë për të luftuar kundër epidemisë së COVID-19. Në aeroport kishin dalë për të pritur këto materiale ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë Mira Rakacolli, zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Etjen Xhafaj etj.

     

Ambasadori Zhou tha se miqësia tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë tregon se është miqësi e vërtetë sidomos në kohë të vështira. "Ne e ndiejmë nga afër kërcënimin me të cilin po përballet pala shqiptare dhe qëndrojmë në mënyrë të vendosur pranë popullit shqiptar, për të luftuar së bashku kundër COVID-19 nëpërmjet ndihmës me materiale mjekësore dhe ndarjes së përvojës së parandalimit dhe të kontrollit", tha ambasadori Zhou Ding. Në kohën kur pala kineze përballet ende me sfida dhe vështirësi të mëdha të punës së parandalimit të epidemisë, dhe kur kërkesa ndërkombëtare për materiale mjekësore është rritur shpejt dhe transporti e fluturimet janë shumë të vështira, ndihma mjekësore e qeverisë kineze është realizuar me shumë vështirësi, duke pasqyruar plotësisht miqësinë tradicionale dhe shpirtin humanitar të ndihmës së ndërsjellë midis Kinës dhe Shqipërisë. Ambasadori Zhou gjithashtu shprehu respektin për stafin mjekësor që lufton fort në vijën e parë të frontit kundër epidemisë ditë e natë dhe tha se pala kineze është e gatshme të vazhdojë të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin me palën shqiptare për të kapërcyer vështirësitë.

Zv.ministrja Rakacolli dhe zv.ministri Xhafaj vlerësuan efektivitetin e Kinës në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë. Ata thanë se ndihma e Kinës është në kohën e duhur dhe përbëhet nga materiale të çmuara, për të cilat aktualisht ka një kërkesë të madhe në të gjitha vendet e botës dhe që do të përmirësojnë në mënyrë efektive aftësinë e Shqipërisë për të luftuar epideminë. Populli shqiptar e vlerëson sinqerisht këtë. Siç tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, vetëm nëse vendet punojnë së bashku mund të kapërcejnë këtë epidemi globale. Pala shqiptare shprehu shpresën se do të vazhdojë të forcojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme me palën kineze, si lufta kundër epidemisë dhe shëndeti publik.

Ambasadori Zhou dhe pala shqiptare e nënshkruan çertifikatën e dorëzimit të ndihmave. Kjo ndihmë ka materiale si kite testuese, veshje mbrojtëse, maska mjekësore N95, syze mbrojtëse, doreza etj..

Suggest To a Friend:   
Print