Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasadorja kineze merr pjesë në premierën e dokumentarit "Shqipëria në Rrugën e Mëndafshit"
2018/01/26

Radiotelevizioni Shqiptar (RTSh) zhvilloi të enjten ceremoninë e shfaqjes premierë të dokumentarit "Shqipëria në Rrugën e Mëndafshit", ku ndër të tjera ishin të pranishëm ambasadorja e Kinës në Shqipërisë Jiang Yu dhe drejtori i përgjithshëm i RTSh-së Thoma Gëllçi.

Dokumentari është prodhuar nga seksioni i shqipes i Radios së Jashtme të Kinës (CRI) dhe përbën raportimin e parë ekonomik nga mediat kineze në Shqipëri. Dokumentari paraqet zhvillimin e kompanive kineze në Shqipëri dhe tregon kontributin e këtyre kompanive në zhvillimin ekonomik e shoqëror të Shqipërisë nëpërmjet investimeve në sektorë si infrastruktura, telekomunikacioni dhe energjetika. Ky dokumentar përmban edhe elemente të marrëdhënieve njerëzore, duke treguar punën e përpjekjet e përbashkëta dhe bashkekzistencën harmonike mes punonjësve kinezë dhe punonjësve shqiptarë.

Ambasadorja Jiang Yu u shpreh në fjalën e saj në ceremoni që, nën drejtimin e nismës "Një Brez, Një Rrugë", bashkëpunimi midis Kinës dhe Shqipërisë në fushën e ekonomisë, të investimeve etj. është në zhvillim të shpejtë. Kompanitë kineze jo vetëm kontribuojnë në punësim dhe të ardhurat nga taksat, por gjithashtu zhvillojnë shkëmbime të gjera me palën shqiptare në teknologji dhe menaxhimin e projekteve, duke realizuar përfitime të përbashkëta për vetë kompanitë dhe për ekonominë vendore. Siç tregon dokumentari, bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve ka pasur arritje të frytshme dhe ka një perspektivë të gjerë. Me mbështetjen nga nisma "Një Brez, Një Rrugë" dhe "Bashkëpunimi 16+1", bashkëpunimi konkret Kinë-Shqipëri mund të jetë si një zog që fluturon në Rrugën e Mëndafshit, u shpreh në mënyrë të figurshme përfaqësuesja e diplomacisë kineze në Shqipëri, znj. Jiang Yu.

Drejtori i përgjithshëm i RTSh-së Thoma Gëllçi shprehu nga ana e tij urime për premierën e dokumentarit, duke thënë se vitet e fundit, bashkëpunimi midis Kinës dhe Shqipërisë në fusha të ndryshme është promovuar në mënyrë të gjithanshme. Investimet kineze në Shqipëri janë rritur shpejt dhe Kina është bërë një investitore kryesore në Shqipëri, duke tërhequr vëmendjen e të gjitha qarqeve në Shqipëri. "Unë besoj se ky dokumentar do ta ndihmojë publikun shqiptar të ketë një kuptim të plotë dhe objektiv mbi gjendjen e kompanive kineze në Shqipëri e marrëdhëniet Kinë-Shqipëri, si dhe do të promovojë zhvillimin e thellë të bashkëpunimit dypalësh në fushën ekonomiko-tregtare," vuri në dukje z. Gëllçi.

Dokumentari "Shqipëria në Rrugën e Mëndafshit" do të transmetohet së shpejti në TVSh dhe në uebsajtin e tij.

Po atë ditë, ambasadorja Jiang Yu dhe z. Thoma Gëllçi nënshkruan një marrëveshje, duke shpallur dhurimin nga Kina të instrumenteve muzikore për orkestrën simfonike të RTSh-së. Vitin e kaluar, orkestra simfonike e RTSh-së dhe muzikantët kinezë zhvilluan bashkë një koncert për Festën e Pranverës në Tiranë. Më pas, dirigjenti dhe përfaqësues të orkestrës simfonike të RTSH-së dhanë shfaqje në ceremoninë e hapjes të koncertit ndërkombëtar "Një Brez, Një Rrugë", duke realizuar shkëmbime mes orkestrave të të dy vendeve.

Suggest To a Friend:   
Print