Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Tiranë:Zhvillohen homazhe për 3 minatorët kinezë, të vdekur në aksident
2017/02/11
 

U gjetën të premten trupat e pajetë të tre minatorëve kinezë të Kompanisë së Punimeve Minerare Wenzhou(Wenzhou Mine Working), të bllokuar prej 6 ditësh në një galeri nëntokësore në minierën e Bulqizës, për shkak të shpërthimit të hidrogjenit.

Presidenti Bujar Nishani, në emër të popullit shqiptar, nëpërmjet një mesazhi shprehu ngushëllime të thella për viktimat dhe familjet e tyre. Zv.ministri i Industrisë dhe i Energjisë, Gëzim Musebeliu, në emër të qeverisë si dhe kryetarja e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Arta Date shprehën ngushëllimet e tyre nëpërmjet deklaratave dhe telefonatave për humbjen tragjetike të jetës së minatorëve kinezë.

Fill pas shpërthimit të shtunën e kaluar, qeveria shqiptare dërgoi në vendngjarje një ekip kërkim-shpëtimi. Grupet e punës, të kryesuar nga zv.ministri Gëzim Musebeliu dhe përfaqësuesit e ambasadës kineze në Tiranë kanë punuar ditë e natë pa ndërprerje në Bulqizë, si dhe ka patur një bashkëpunim të ngushtë nga ana e firmës kontraktuese kineze Wenzhou Mine Working dhe asaj shqiptare ACR.

Gjatë trajtimit të pasojave të aksidentit, ambasadorja kineze Jiang Yu vizitoi ekipin e kërkim-shpëtimit dhe grupet e punës në vendngjarje. Ajo u shpreh për kryerjen e suksesshme të operacionit dhe theksoi njëkohësisht rëndësinë e madhe të garantimit të sigurisë së stafit të shpëtimit. Pas punimeve intensive 6 ditore, me gjetjen e kufomave të minatorëve, përfundoi operacioni i kërkim-shpëtimit.

Të premten në Tiranë u zhvilluan homazhe në nderim të 3 minatorëve. Ambasadorja Jiang Yu, në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Ministrisë së Tregtisë, Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendshme, provincave Anhui dhe Sichuan, nga vijnë minatorët, u shprehu familjeve të tyre ngushëllime të thella. Në homazhe morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Industrisë dhe të Energjisë, diplomatë dhe përfaqësues të ndërmarrjes kineze Wenzhou Mine Working dhe asaj shqiptare ACR.

Ambasadorja Jiang Yu i falënderoi palët e ndryshme, për kontributin e dhënë gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit. Ajo u bëri thirrje kompanisë kineze dhe asaj shqiptare të forcojnë bashkëpunimin dhe të trajtojnë si duhet pasojat e tragjedisë, të hetojnë me seriozitet shkaqet e shpërthimit, për të marrë të gjitha masat për parandalimin e fatkeqësive të tilla.

Suggest To a Friend:   
Print