Home
Embassy Info China/Kina Albania/Shqiperia China & Albania Consular Affairs
中文
  Home > China/Kina
Kina përmes fotosh - Tërmeti në Wenchuan të Kinës

Një tërmet i fuqishëm prej 8.0 ballësh sipas shkallës Rihter tronditi Kinën jugperëndimore më datë 12 maj, 2008, në orën 14:28. Epiqendra e tij ishte në kontenë Wenchuan të Provincës Sichuan. Brenda një minute,  nga kjo fatkeqësi humbën jetën shumë njerëz.

U desh vetëm një moment pas shokut që pësoi, që populli kinez të ngrihej në këmbë për t'iu vënë punës për përballimin e pasojave.

Kryeminstri Kinez, Wen Jiabao, u nis menjëherë drejt zonave të prekura nga tërmeti për të drejtuar forcat e shpëtimit. Presidenti Hu  Jintao shkoi të ngushëllojë njerëzit e prekur nga fatkeqësia. Forcat e UÇP-së, skuadrat e shpëtimit, mjekë, infermierë dhe vullnetarë u nisën menjëherë nga e gjithë Kina për në zonat e goditura nga tërmeti. Të gjithë u përfshinë në operacionet e shpëtimit dhe të ndihmës.

Sipas të dhënave zyrtare deri në orën 12, të datës 26 maj nga tërmeti i Wenchuan-it kanë humbur jetën 65,080 persona, 23,150 persona konsiderohen të humbur dhe 360,058 persona janë të lënduar. Sidoqoftë, deri në orën 12.00 të datës 26 maj, u evakuuan dhe u transportuan prej zonave të prekura nga tërmeti në zona të tjera, 638,305 persona. Pas numrit në rritje të të shpëtuarve, qëndrojnë përpjekjet e pandërprera të shumë njerëzve. I gjithë populli kinez, bashkëkombasit jashtë atdheut dhe shumë të huaj, bashkuan forcat për të përballuar pasojat e tërmetit të Wenchuan-it.

Ushtarët kinezë dhe punëtorët e skuadrave të shpëtimit punuan për nxjerrjen e të mbijetuarve nga gërmadhat pothuaj pa pushim gjatë goditjeve të tjera të tërmetit që pasuan goditjen e parë; ushqime, ilaçe dhe pajisje të tjera ndihmëse u dërguan në zonat e prekura nga tërmeti;  automjete, trena dhe aeroplanë u mbushën përplot; fabrikat që merren me prodhimin e  pajisjeve ndihmëse punuan ditë e natë; njerëzit prisnin në rradhë të gjata për dhurimin e gjakut; sasia e dhurimeve nga punonjës të të gjitha fushave u rrit me shpejtësi...

Kina dhe populli kinez po bëjnë përpjekje të mëdha për t'i përballuar dhe për t'iu përgjigjur të gjitha pasojave të shkaktuara nga kjo fatkeqësi e papritur.

Shpjegimet e fotove:

01.          Një tërmet i fuqishëm prej 8.0 ballësh sipas shkallës Rihter tronditi Wenchuan-in, në provincën Sichuan, më 12 maj 2008. Në këtë foto të qytetit Yingxiu, në kontenë Wenchuan, vështirë se mund të shihet një ndërtesë e mbetur në këmbë pas tërmetit.

02.          Më 16 maj, 2008, Presidenti Hu Jintao shkoi në zonat e goditura nga tërmeti për të ngushëlluar njerëzit e prekur nga fatkeqësia.

03.          Kryeministri kinez, Wen Jiabao shkoi menjëherë në zonat e prekura nga tërmeti për të drejtuar operacionet e shpëtimit. Ai po mban pranë dy vogëlushe të cilat u shpëtuan nga banesat e shembura dhe po bisedon me banorët e tjerë.

04.          Më 18 maj, 2008, duke mbajtur mbi supe ndihmat, ushtarët e UÇP ecën mbi 10 km në qytetin e goditur nga tërmeti Yingxiu, në kontenë Wenchuan të provincës Sichuan.

 

05.          Trupi i një nxënësi të shkollës së mesme të kontesë Beichuan në provincën Sichuan u gjet. Të afërmit e tij janë pushtuar nga dhimbja.

06.          Duke përdorur zbuluesit e jetës, skuadra e shpëtimit e Shangait gjeti shenja jete në rrënoja në qytetin Yingxiu, në kontenë Wenchuan. Pas më shumë se 10 orë përpjekjesh, Jiang Yuhang, një djalë 20 vjeçar, u shpëtua me sukses. Ai kishte qëndruar nën rrënoja 124 orë.

07.          Më 17 maj, 2008, pilotët ushtarakë shkuan në Qingping, një rajon i thellë malor i Mianzhu-së, për të transportuar njerëzit me plagë të rënda për të marrë ndihmën mjekësore në qytet.

 

08.          Më 17 maj, 2008, skuadrat e shpëtimit duke vazhduar operacionet e kërkimit për të mbijetuar në kontenë Beichuan.

09.          Më 16 maj, 2008, Forcat Ajrore të Kinës shpërndanë ndihma në zonat e prekura nga tërmeti në provincën Sichuan. Gjatë ditëve të fundit, Forcat Ajrore kanë dërguar një numër të madh mjetesh të transportit ajror të cilat kanë punuar ditën dhe natën për të shpërndarë pakot me ndihma për nevoja urgjente, si ilaçe, ushqime, çadra dhe pajisje të tjera.

 

10.          Më 16 maj, 2008, në Zipingba, një krahinë midis qytetit të Dujiangyan dhe kontesë Wenchuan, ushtarët e UÇP-së po mbartin ndihma. Ndihmat do të dërgohen në çadrat e ngritura për strehimin e përkohshëm të të prekurve nga pasojat e tërmetit.

 

11.          Më 15 maj, 2008,  forcat e UÇP-së mundësuan largimin me helikopter nga Wolong, provinca Sichuan, një prej zonave më të goditura nga tërmeti, të 33 turistëve të ardhur nga Anglia, Franca, Sh.B.A. dhe vende të tjera.

 

12.          Pas goditjes së parë të tërmetit në Sichuan, më 12 maj, 2008, punonjësit e Parkut Natyror Kombëtar të Wolongut, në provincën Sichuan, transferuan menjëherë pandat në një zonë të sigurt. Administrata e Shtetit për Pyjet dhe Departamenti i Pyjeve i provincës Sichuan dërguan menjëherë ushqim dhe ilaçe për pandat, si dhe çadra e pajisje ndihmëse për punonjësit. Me përpjekje të mëdha, të gjitha ndihmat u transferuan në Parkun Natyror Kombëtar të Wolongut duke shmangur zonat ku transporti ishte i pamundur.

13.          Pas tërmetit të Wenchuan-it, Kina gjeti një mbështetje të madhe nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo foto paraqet një aeroplan special i cili ka transportuar ndihma të dërguara nga ky komunitet në Chengdu, provinca e Sichuanit.

 

14.          Pas tërmetit të fuqishëm që tronditi Kinën, Rusia, Japonia, Koreja, Singapori dhe vende të tjera kanë dërguara skuadra të specializuara të shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti. Në këtë foto paraqiten punonjësit e skuadrës së shpëtimit nga Japonia, duke punuar për gjetjen e të mbijetuarve në kontenë Qingchuan.

15.          Në mbledhjen e 11-të të Qendrës për Përballimin e Pasojave të Tërmetit të Këshillit të Shtetit, më 22 maj, 2008, u vendos që për 3 muaj të ndërtohen në provincën e Sichuan-it 1 milion strehime të përkohshme. Çdo qendër strehimi e përbërë prej 50 banesash të përkohshme është e pajisur me një furnizues qendror për ujin e pijshëm dhe një vend për grumbullimin e mbeturinave, ndërsa një shkollë fillore, një qendër mjekësore, dhe një shitore për ushqimet dhe artikuj të tjerë të domosdoshëm do të jetë në shërbim për çdo 1000 strehime të përkohshme. Ministria e Shëndetësisë ka dërguar një numër të madh specialistësh të fushës së shëndetit për të kryer kontrolle në terren me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjeve në zonat e prekura nga tërmeti. Në këtë foto paraqiten njerëz të prekur nga pasojat e tërmetit të cilët janë strehuar në qendrat e strehimit.

 

16.          Më 19 maj, 2008, në stadiumin Jiuzhou në qytetin e Mianyang-ut, fëmijë nga zonat e prekur nga tërmeti po zhvillojnë orën e parë të mësimit pas tërmetit. Mësuesi është një punonjës social i cili punon vullnetarisht për trajtimin psikologjik. Ai po zhvillon lojra me fëmijët për t'i larguar nga tensioni dhe stresi pas fatkeqësisë.

 

17.          Më 14 maj, 2008, një shkollë fillore në qytetin e Haozhou-t, provinca Anhui organizoi një aktivitet për dhënien e ndihmave. Mbi 3000 nxënës dhuruan para nga kursimet e tyre për fëmijët në zonat e prekura nga tërmeti. Ata shpresojnë që bashkëmoshatarët e tyre t'i kalojnë sa më parë vështirësitë dhe të vijojnë jetën normalisht.

 

18.          Këshilli i Shtetit shpalli zi kombëtare prej datës 19 deri më 21 maj. Gjatë këtyre ditëve, në Kinë dhe në përfaqësitë diplomatike jashtë saj, flamujt ishin të gjithë në gjysmështizë dhe të gjitha aktivitetet argëtuese u ndërprenë. Në orën 14:28, më 19 maj qytetarët kinezë në të gjithë vendin qëndruan në heshtje për tre minuta. Ndërkohë, sirenat dhe boritë e makinave, trenave dhe anijeve ranë për të përkujtuar momentin tragjik. Kjo foto e datës 19 maj, 2008, paraqet flamurin kombëtar në Sheshin Tian'anmen në qendër të Pekinit të ulur në gjysmështizë në shenjë zije për viktimat e tërmetit të Wenchuan-it.

<Suggest To a Friend>
  <Print>