| Kina përmes fotosh - Festat Tradicionale Kineze |
| 2008-11-30 |
|
Festat tradicionale kineze – Ching Ming, Festa e Varkave Dragua dhe Festa e Mesit të Vjeshtës – së bashku me Festën e Pranverës, janë katër festa të cilat prej vitit 2008 i shtohen shtatë festave kombëtare në kalendarin e festave zyrtare.
Kalendari tradicional kinez (kalendari hënor) bazohet në kombinimin e cikleve të rrotullimit të Diellit dhe të Hënës. Shumica e festave tradicionale kineze lidhen me punët e bujqësisë, motin, fenomenet natyrore të stinëve dhe janë renditur sipas kalendarit hënor. Për shembull, Festa e Pranverës kremtohet në ditën e parë të muajit të parë hënor, Festa e Fenerëve në ditën e 15-të të muajit të parë hënor, Festa e Mesit të Vjeshtës ditën e 15-të të muajit të tetë hënor, Festa e Dy Nëntave ditën e 9-të të muajit të nëntë hënor, Festa Laba ditën e 8-të të muajit të 12-të hënor, Viti i Ri ditën e 30-të të muajit të 12-të hënor, etj. Disa prej festave tradicionale përkujtojnë figura të shquara të historisë ose heronj të miteve dhe legjendave. Për shembull, Festa e Varkave Dragua përkujton Qu Yuan – poetin patriot të lashtësisë, Festa e Dy Shtatave ka në qendër mitin romantik të Bariut dhe Endëses të cilët për t'u takuar me njëri-tjetrin kalonin mbi një urë të krijuar prej dhjetëra-mijëra zogjve. Ndër festat tradicionale përfshihet gjithashtu Festa e Spërkatjes me Ujë e Daive, Festa e Bajramit e Hui-ve, Ujgurëve dhe e pakicave të cilat i përkasin besimit Islam, Festa e Onkorit e Tibetianëve dhe mjaft festa të tjera të grupeve të ndryshme etnike. Kremtimi i këtyre festave shoqërohet gjithmonë me kryerjen e ceremonive dhe riteve tradicionale. Për shembull, gjatë Festës së Pranverës sipas traditës hapen panairet e tempujve, gjatë Festës së Fenerëve kudo vendosen fenerë shumëngjyrësh dhe serviren ëmbëlsira të përgatitura me miell orizi ngjitës, në ditën Ching Ming nderohet kujtimi i të parëve duke pastruar dhe vendosur lule në varret e tyre, gjatë Festës së Varkave Dragua përgatitet një gatesë tradicionale prej orizi e mbështjellë me gjethe kallami dhe bëhen gara mes varkave dragua, në Festën e Mesit të Vjeshtës duke soditur hënën e plotë shijohen ëmbëlsirat me formën dhe emrin e saj, në Festën e Dy Nëntave njerëzit i ngjiten maleve dhe admirojnë lulet e krizantemave, në ditën e tetë të muajit të 12-të hënor përgatitet qull orizi me bajame dhe fruta të thata, natën e Vitit të Ri familja mblidhet e gjitha për darkë dhe qëndron zgjuar deri vonë. Shpjegimet e fotove:
01. Ditën e parë të muajit hënor të vitit 2007, panaire të ndryshme të hapura në tempujt e Pekinit u vizituan prej mjaft qytetarëve. Në këtë ditë, kremtohet Festa e Pranverës, e cila është festa tradicionale më ceremoniale në Kinë. Njerëzit kërcejnë vallen e luanit, vizitojnë tregjet e luleve dhe panairet e tempujve. I gjithë qyteti hijeshohet me ndriçues festivë dhe rrugët mbushen plot me njerëz. Ç'festë e gëzueshme!
02. Nata e Vitit të Ri sipas kalendarit hënor kinez vazhdon të festohet nga shumica e familjeve të Kinës veriore duke u mbledhur për të festuar të gjithë së bashku, për të shijuar gatimet tradicionale dhe për të qëndruar zgjuar deri vonë. Në këtë foto, disa nxënës të shkollave të mesme janë duke ndihmuar vullnetarisht të moshuarit në përgatitjen e gatimeve tradicionale në një institucion bamirësie për moshën e tretë.
03. Që prej kohëve të vjetra, kinezët gjithmonë i urojnë mirëseardhjen Zotit të Pasurisë, ditën e 5-të të muajit të parë hënor. Dyert dhe dritaret hapen, digjen shkopinj temjani dhe në mesnatë, për nder të tij shpërthejnë fishekzjarret dhe kërcaskat. Kjo foto tregon një të moshuar nga Makao e cila po qëndron pranë "Zotit të Pasurisë" për të patur një fotografi me të në Festën e Pranverës.
04. Dita e 15-të e muajit të 8-të hënor shënon Festën e Mesit të Vjeshtës – një tjetër festë tradicionale kineze. Në këtë foto të marrë gjatë natës së festës, disa qytetarë të Wuhanit po admirojnë bukurinë e hënës para Kullës së Lejlekut të Verdhë.
05. Festa tradicionale kineze e Fenerëve kremtohet ditën e 15-të të muajit të parë hënor. Përgatitja e "Yuanxiao" – ëmbëlsira të vogla në formë sferike të gatuara me miell orizi ngjitës –është një prej traditave të cilës i kushtohet mjaft rëndësi gjatë kësaj dite. Mbushja futet në brumin e miellit të orizit të cilit i jepet forma e topit. Ajo bëhet me sheqer, susam, krem fasulesh të ëmbla, arrëza dhe përbërës të tjerë. Ëmbëlsira në formë topi shket në kupë ashtu si hëna në qiell, duke simbolizuar bashkimin dhe lumturinë. Në këtë foto paraqiten disa qytetarë duke përgatitur ëmbëlsira "Yuanxiao" për Festën e Fenerëve.
06. Kinezëve iu pëlqen t'i zbukurojnë xhamat e dritareve me figura të ndryshme të formuara me anë të prerjes së letrës. Këto figura, jo vetëm që krijojnë një mjedis të gëzueshëm, por janë pjesë e një koleksioni zbukurimesh, i cili është mjaft i vlerësuar dhe praktik. Krijimi i figurave prej prerjes së letrës është një art popullor mjaft i njohur dhe i pëlqyer nga populli kinez prej mijëra vjetësh
07. Vendosja e pikturave të Vitit të Ri gjatë Festës së Pranverës është një traditë mjaft popullore si në qytetet ashtu edhe në fshatrat e Kinës. Pikturat shumëngjyrëshe sjellin gëzim dhe mbarësi në çdo familje. Arti i pikturave të Vitit të Ri është një art i vjetër popullor në Kinë, i cili përcjell traditat, besimin dhe shpresat për të ardhmen.
08. Dita e 8-të e muajit të 12-të hënor është quajtur "Laba". Që para kohës së sundimit të Dinastisë Çin njerëzit në Festën e Labas i luten shpirtrave të të parëve dhe zotave për patur të korra të mbara dhe fat. Servirja e qullit të ëmbël në Festën e Labas është një traditë e trashëguar prej mbi 1000 vjetë më parë. Qulli i Labas përgatitet me oriz, mel ngjitës, sojë, bajame dhe përbërës të tjerë. Kjo foto paraqet pamje nga Hangzhou, në Zhejiang, ku një enë e madhe bakri është vendosur në rrugë për të përgatitur Laban e cila iu jepet falas qytetarëve.
09. "Vallja e vozitjes së barkave" është një prej valleve tradicionale të etnisë Han, e cila është mjaft popullore në veri të Kinës. Kjo valle është patjetër pjesë e repertorit të të gjitha shfaqjeve me rastin e festave tradicionale kineze. Ajo ka një stil unik: "vozitjen" e "barkave të tokës" sipas legjendës shoqëruar me rrëfimin e historisë, duke ndërthurrur në mënyrë të përsosur "vozitjen" e barkave, lojën e karaktereve dhe elementet e shfaqjes.
10. Ditën e 9-të të muajit të 9-të kremtohet Festa e Dy Nëntave. Njerëzit iu ngjiten maleve, admirojnë lulet e krizantemave, pijnë verë krizantemash dhe hanë ëmbëlsirat e quajtura dy-nëntëshe. Respektimi dhe përkujdesja për të moshuarit është një traditë e lashtë së cilës i është kushtuar kjo festë. Ditën e 9-të të muajit të 9-të hënor, në Kinë festohet "Festa e Pleqve". Kjo foto paraqet pamje nga Tempulli Kaiyuan, në Fuzhou, ku me rastin e kësaj feste në vitin 2007 u zhvillua një banket në të cilin morën pjesë mbi 1000 persona të moshës mbi 60 vjeç.
11. Në nëntor të vitit 2004, disa pjestarë të grupit etnik Shui po luajnë me dragonjtë e ujit në Sandu, Kontenë Autonome të minoritetit Shui, në provincën Guizhou, me rastin e Festës Duan – një festë tradicionale e grupit etnik Shui. Meqënëse vjeshta është fillimi i vitit sipas kalendarit Shui, festa tradicionale e Vitit të Ri për ta është Festa Duan. Duke qenë se "dita e fundit e vitit" për grupin etnik Shui është dita e 20-të e muajit të 9-të hënor, ky grup është i pari nga të 56 grupet etnike që feston ardhjen e Vitit të Ri në Kinë.
12. Në Ditën Përkujtimore Ching Ming, një vajzë dhe një djalë po vendosin krizantema për të nderuar kujtimin e të afërmve mbi vendin ku ata prehen. Në Kinë, Ching Ming është dita tradicionale më e rëndësishme në kujtim të atyre që s'jetojnë më. Shumë kinezë të grupit etnik Han dhe të disa grupeve të tjera etnike, përkujtojnë të afërmit duke shkuar në varreza gjatë kësaj dite. Ching Ming quhet gjithashtu edhe Dita e Shëtitjes së Pranverës dhe ajo bie në datën 4, 5 ose 6 prill. Është një ditë pranverore e bukur ku gjithçka bleron dhe që prej kohëve të vjetra ka qenë traditë që gjatë saj të bëhen shëtitje dhe lojëra të ndryshme në natyrë.
13. Festa e Bajramit është një prej festave më të rëndësishme të besimit islam (Festa e Kurban-Bajramit, Bajrami dhe Ditëlindja e Profetit). Muaji i 9-të i kalendarit islamik është muaji i Ramazanit sipas Kur'anit. Përfundimi i tij shënon festën e Bajramit që festohet nga Huitë, Ujgurët, Kazakët, Uzbekët, Taxhikët, Tartarët, Kirgizët, Salarët, Dongshiangët, Bonanët dhe grupe të tjera etnike, duke qenë gjithashtu Dita e Vitit të Ri për grupin etnik Hui. Në këtë foto paraqiten muslimanë të etnisë Xinjiang duke kërcyer gjatë Festës së Bajramit.
14. "Panairi i Muajit të Tretë" në Dali, provinca e Yunanit është një ditë me mjaft gjallëri. Vajza të grupit etnik Bai po luajnë vallen e kërcitjes së shkopinjëve – një prej aktiviteteve tradicionale që gjallëron rrugët e Dalit. Panairi i Muajit të Tretë është festa më e madhe tradicionale e etnisë Bai gjatë së cilës zhvillohet panairi i artikujve artizanalë dhe aktivitete të tjera argëtuese, një festë mjaft popullore në Yunan, Dali dhe në disa krahina të tjera. Panairi i Muajit të Tretë zhvillohet rrëzë malit Diancang (në veri të Dalit) duke filluar ditën e 15-të të muajit të 3-të hënor dhe duke qëndruar i hapur për 5 ose 7 ditë.
15. Festa e Pishtarëve është një festë tradicionale e grupeve etnike Yi, Bai, Naxi, Jino, Lahu, etj., e cila zgjat 2 ose 3 ditë. Gjatë ditës së kësaj feste zhvillohen ndeshje demash, mundje dhe aktivitete të tjera. Kur bie nata, njerëzit marshojnë në grupe nga të gjithë fshatrat duke mbajtur në duar pishtarë. Në fund, të gjithë bashkohen në shesh dhe i grumbullojnë pishtarët duke kënduar dhe kërcyer të gëzuar. Kjo foto tregon pamje të pjesëmarrësve në këtë festë.
16. Festa e "Spërkatjes me Ujë" është një festë tradicionale e cila kremtohet në muajin e 6-të të kalendarit Dai (në mes të muajit prill sipas kalendarit Gregorian) dhe është më e rëndësishmja për grupet etnike Dai, De'ang, Achang, etj., të cilët i përkasin besimit Budist Hinajan. Kjo festë e etnisë Dai në Dehong, Xishuangbanan e në krahina të tjera, organizohet për të përcjellë Vitin e Vjetër dhe për të pritur Vitin e Ri, duke uruar dhe spërkatur me ujë njëri-tjetrin. Ritet që kryhen gjatë saj janë larja e statujës së Budës, spërkatja me ujë, gara e varkave dragua, etj. Në këtë foto, të rinj të etnisë Dai po festojnë së bashku me vizitorë të tjerë Festën e Spërkatjes me Ujë.
17. Në qershor të vitit 2007, Kampionati Botëror i Varkave Dragua u zhvillua në Hongkong të Kinës. Mbi 200 skuadra, 400 vozitës dhe mbi 10,000 spektatorë e mbushën me gjallëri plazhin Stanley të Honkongut. Gara e varkave dragua gjatë Festës së Mesit të Vjeshtës është një prej aktiviteteve me karakteristika të theksuara kineze në Hongkong. Ditën e 5-të e muajit të 5-të hënor në Kinë kremtohet Festa e Varkave Dragua. Gjatë kësaj feste në kujtim të poetit të madh patriot të lashtësisë Qu Yuan, zhvillohen gara me barka dragua dhe serviret një gatesë tradicionale e përgatitur me oriz të mbështjellë me gjethe kallamash.
18. Festat e minoritetit korean në Kinë - janë pothuajse të njëjta me ato të etnisë Han. Përveç tyre, ata festojnë edhe tre festa të karakterit familjar, atë të një-vjetorit të fëmijës, festën "Hui Jia" (me rastin e 60-vjetorit) dhe Ceremoninë Martesore "Hui" (me rastin e përvjetorit të 60-të të martesës). Në këtë foto vajza koreane nga Jilini i Kinës janë duke kërcyer vallen e ujit në një festë.
19. Në prill të vitit 2005, vajza të etnisë Miao nga Guizhou të veshura me kostumet e bukura popullore po kremtojnë Festën e Motrave – një festë tradicionale Miao. Kjo festë quhet gjithashtu "Festa e Vaktit të Motrave" dhe kremtohet nga etnia Miao që jeton në kontetë Taijiang, Shibing, etj. të cilat ndodhen përgjatë lumit Qingshui në Guizhou. Ajo njihet si dita më e lashtë e Shën Valentinit në Lindje, gjatë së cilës motra, djem e vajza të reja mblidhen së bashku për të zgjedhur të dashurit e tyre. |


















