Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasada e Kinës, ceremoni përkujtimore për specialistët kinezë që prehen në Shqipëri
2021/04/04

Në prag të festës tradicionale kineze “Qingming”, një ditë kur kinezët nderojnë ata që nuk jetojnë më me vizita në varret e tyre, ambasadori kinez në Tiranë, z. Zhou Ding, së bashku me diplomatë të tjerë vajtën në varrezat e Sharrës për të përkujtuar specialistët kinezë që ranë në krye të detyrës në Shqipëri në vitet ‘70 të shekullit të kaluar. Ishin të pranishëm në këtë ceremoni përkujtimore edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i RTSh-së Martin Leka, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë Spartak Nano, kryetari i Shoqatës Kulturore Alb-China Iljaz Spahiu, si dhe përfaqësues të ndërmarrjeve kineze në Shqipëri. Pjesëmarrësit vendosën buqeta me lule, mbajtën një minutë heshtje dhe u përulën me nderim para varreve të specialistëve kinezë.

Ambasadori Zhou Ding vuri në dukje se festa “Qingming” është dita kur kinezët nderojnë paraardhësit dhe shprehin pikëllimin e tyre. Në historinë e marrëdhënieve mes Kinës dhe Shqipërisë, vijoi ai, meritojnë të respektohen e të përkujtohen përgjithmonë ata që dhanë kontribute të jashtëzakonshme. “Në vitet ‘60-‘70 të shekullit të kaluar, qeveria kineze ndihmoi në ndërtimin e më shumë se 100 veprave në Shqipëri, për realizimin e të cilave erdhën afro 6000 specialistë, duke dhënë një kontribut të paharrueshëm në nxitjen e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe thellimin e miqësisë kino-shqiptare. Ndër ta, Zhang Baoyu, Li Dexiong, Peng Guiwen, Ou Xingtai dhe Song Shuhai dhanë jetën e tyre në këtë tokë, duke ndërtuar një monument të miqësisë ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë. Sivjet është 50-vjetori i ndarjes nga jeta të dëshmorit Zhang Baoyu. Kemi ardhur këtu, unë me miqtë shqiptarë, për t’u bërë homazhe këtyre dëshmorëve me z. Zhang Baoyu si përfaqësues. Shpresoj që, përmes kësaj ceremonie, të kujtojmë historinë e të rënët dhe të trashëgojmë frymën e tyre të përkushtimit ndaj idealit, duke i dhënë energji zhvillimit të marrëdhënieve kino-shqiptare,” tha z. ambasador në fjalën e tij në ceremoni.

Ai shprehu edhe ngushëllime të thella për ndarjen nga jeta të kryetarit të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kinë në Kuvendin e Shqipërisë, ish-kryeministrit Bashkim Fino. Duke kujtuar disa momente të çmuara me z. Fino dhe duke vlerësuar lart kontributin e këtij politikani të shquar për forcimin e miqësisë tradicionale midis dy vendeve, ambasadori Zhou theksoi se “do ta kujtojmë Zhang Baoyu-në, z. Fino dhe ata që kanë kontribuar për miqësinë kino-shqiptare, dhe do të inkurajohemi prej tyre për të shkruar bashkërisht një faqe të re të bashkëpunimit miqësor mes Kinës dhe Shqipërisë”.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, Martin Leka, i pranishëm në këtë ceremoni, vlerësoi kontributet e specialistëve kinezë për zhvillimin dhe ndërtimin e Shqipërisë. Duke vënë në dukje se ky vit shënon 50-vjetorin e rënies në krye të detyrës të heroit Zhang Baoyu, z. Leka tha se ky fakt është tregues i rëndësishëm i miqësisë midis dy popujve dhe do të mbetet gjithmonë në zemrat e dy popujve si një forcë shpirtërore që e shton këtë miqësi. Ai shprehu shpresën se bashkëpunimi i RTSh-së me Kinën do të thellohet dhe uroi që miqësia tradicionale shqiptaro-kineze do të rrojë gjatë.

Në ceremoni, ambasadori Zhou dhe pjesëmarrësit nga pala shqiptare dhanë intervista për agjencinë e lajmeve “Xinhua”, CMG-në dhe RTSh-në.

Suggest To a Friend:   
Print