Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasadori kinez merr pjesë në dorëzimin e dhurimeve për Arkivin Shtetëror të Filmit të Shqipërisë
2020/09/17

Ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding ishte i pranishëm të mërkurën në ceremoninë e dorëzimit të dhurimeve për Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe ceremoninë e transmetimit të dokumentarit historik mbi miqësinë mes Kinës e Shqipërisë. Në këtë ceremoni ishin të pranishme gjithashtu ministrja shqiptare e Kulturës Elva Margariti, drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit Iris Elezi etj.

 

Ambasadori kinez Zhou Ding u shpreh:

“Është kënaqësi e veçantë që vizitoj sot sërish Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit. Vizita e kaluar më ka lënë përshtypje të thellë dhe unë ndiej që atëherë admirim për kulturën e thellë dhe të larmishme të kinematografisë shqiptare dhe për dashurinë e shqiptarëve ndaj trashëgimisë artistike kulturore të vendit. Çdo afishe dhe çdo film në këtë arkiv tregon historinë e thellë të Shqipërisë dhe shfaq bukurinë e dritës dhe hijes. Ajo që është veçanërisht e rrallë, është se dokumentarët e çmuar të shkëmbimeve miqësore Kinë-Shqipëri ruhen ende këtu. Arti ka vlerë të përjetshme dhe historia gjithmonë meriton respekt.

Për mua, meritojnë respekt përpjekjet e shumta të drejtoreshës Elezi dhe të ekipit të saj për ruajtjen e këtyre trashëgimeve kulturore dhe për përmirësimin e kushteve të Arkivit. Vjet dhe sivjet ambasada kineze i ka dhuruar Arkivit pajisje për kontrollin e lagështisë dhe ka financuar projektin e rinovimit të sistemit të kontrollit të temperaturës, për të zgjatur jetën e këtyre materialeve të çmuara. Ndihem i nderuar dhe krenar që ambasada jonë mund të kontribuojë për ruajtjen e kujtesës kombëtare dhe të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Kina dhe Shqipëria janë vende që i çmojnë historinë, kulturën dhe traditat e veta, ndërkohë që u përmbahemi karakteristikave, si të qenit të hapur, tolerant dhe gjithëpërfshirës, karakteristika që duhet të jenë parimi i rëndësishëm i shkëmbimeve midis vendeve e qytetërimeve në epokën pas pandemisë. Falë miqësisë tradicionale kino-shqiptare dhe përpjekjeve të përbashkëta, shkëmbimet kulturore e artistike midis nesh kanë qenë gjithmonë shumë aktive. Viti i kaluar ishte 70-vjetori i marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë dhe me këtë rast erdhën shumë grupe artistike kineze në Shqipëri, numri i turistëve kinezë në Shqipëri u rrit me 20% dhe ky Arkiv vendosi bashkëpunim me Arkivin Kombëtar të Filmit të Kinës. Ne presim që, pas kësaj pandemie, të thellojmë bashkëpunimin me Ministrinë e Kulturës dhe të gjitha institucionet kulturore shqiptare, për të nxitur lulëzimin e kulturave të të dy vendeve, si dhe njohjen e ndërsjellë midis dy popujve tanë. Kam besim që Arkivi i Filmit do të luajë një rol të veçantë në këtë fushë. ”

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë Elva Margariti nga ana e saj u shpreh: "Shkëmbimet kulturore midis Kinës dhe Shqipërisë janë të pasura me konotacione dhe bashkëpunim të ngushtë. Unë e falënderoj sinqerisht ambasadën kineze për mbështetjen e shumë projekteve kulturore në Shqipëri. Kjo ndihmë për Arkivin e Filmit do të nxitë në mënyrë efektive transformimin e tij në një muze të hapur për publikun, në mënyrë që të mbrojë dhe promovojë më mirë këto materiale të çmuara të artit të filmit."

Kurse drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit Iris Elezi falënderoi ambasadën kineze për mbështetjen dhe shtjelloi gjendjen e zhvillimit dhe planet e institucionit që drejton. Ajo gjithashtu shprehu gatishmërinë për të punuar nga afër me ambasadën kineze dhe për të përdorur epërsitë e Arkivit të Filmit për të eksploruar burimet historike të miqësisë kino-shqiptare, duke i afruar më shumë të dy vendet dhe duke forcuar lidhjet shpirtërore midis popullit shqiptar dhe popullit kinez nëpërmjet artit.

 

Pasi panë pajisjet e dhuruara nga pala kineze, të ftuarit ndoqën një dokumentar mbi historinë e miqësisë kino-shqiptare, të bazuar në materialet video të Arkivit. Me ndihmën e teknologjisë moderne, skenat e shkëmbimeve miqësore në fusha të ndryshme midis dy vendeve në vitet '60 - '70 të shekullit të kaluar u bënë edhe një herë të gjalla, duke e kthyer audiencën në ato vite të mbushura me pasion.

Suggest To a Friend:   
Print