Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasadori kinez Zhou Ding takon përfaqësuesen e OBSh-së në Shqipëri
2020/05/25

Ambasadori kinez Zhou Ding u takua të enjten me përfaqësuesen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, dr. Bettina Menne. Të dy palët shkëmbyen mendime mbi epideminë e koronavirusit të ri dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për frenimin e përhapjes së saj.

Ambasadori Zhou u shpreh se epidemia e COVID-19 shpërtheu në mënyrë të papritur, duke prekur mbi 210 vende e rajone dhe duke ndikuar mbi 7 miliardë banorë. Pas përpjekjeve të mëdha, Kina e ka kontrolluar në mënyrë efektive përhapjen e virusit në territorin e vet. Kina ka mbajtur gjithmonë qëndrim të hapur, transparent e të përgjegjshëm, duke ua dhënë në kohë OBSh-së e vendeve përkatëse informacionin e epidemisë dhe duke mbështetur bashkëpunimin ndërkombëtar kundër epidemisë. Në ceremoninë e hapjes së Asamblesë Botërore të Shëndetësisë, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping premtoi se Kina do të japë një ndihmë ndërkombëtare prej 2 miliardë dollarësh brenda dy vjetësh dhe se, pas studimit dhe vënies në përdorim, vaksina kineze e koronavirusit të ri do të jetë një produkt publik botëror. Një gjë e tillë bëhet me qëllim të përkrahjes së luftës kundër epidemisë dhe ringjalljes ekonomike e shoqërore të vendeve të ndikuara nga epidemia, veçanërisht të vendeve në zhvillim. Kjo mishëron plotësisht konceptin e fateve të përbashkëta të njerëzimit të ndjekur nga Kina dhe përgjegjësinë e saj për ruajtjen e jetës dhe të shëndetit të popujve të ndryshëm së bashku me komunitetin ndërkombëtar.

Ambasadori Zhou shtoi më tej se Kina dhe Shqipëria kanë një miqësi tradicionale. "Pas shpërthimit të epidemisë në Shqipëri, ne kemi qëndruar gjithmonë përkrah popullit shqiptar dhe kemi mbështetur me vendosmëri luftën e Shqipërisë kundër epidemisë", u shpreh përfaqësuesi i diplomacisë kineze në Shqipëri. Me kërkesën e qeverisë shqiptare, shtoi ai, pala kineze ka kapërcyer shumë vështirësi dhe ka bërë përpjekje të mëdha për të ofruar dy kontingjente materialesh antiepidemike, që përfshijnë kuti testimi, veshje mbrojtëse, maska KN95 etj. Në kornizën e "Bashkëpunimit 17+1", pala kineze organizoi gjithashtu videokonferencën e specialistëve për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë dhe videokonferencën e ministrave të shëndetësisë, duke ndarë përvojat e Kinës në luftën kundër epidemisë edhe me palën shqiptare. Z. Zhou vuri në dukje më tej se OBSh-ja ka dhënë kontribut të rëndësishëm në punën kundër epidemisë në Shqipëri. Ambasada kineze në Shqipëri dëshiron të ketë shkëmbime të ngushta me Zyrën e OBSh-së në Shqipëri, për të bërë përpjekje dhe për të dhënë ndihmë të përbashkët për luftën antiepidemike në Shqipëri.

Dr. Bettina Menne u shpreh nga ana e saj se Kina e vuri e para nën kontroll epideminë brenda një kohe të shkurtër, duke zhvilluar pozitivisht bashkëpunim ndërkombëtar antiepidemik dhe duke marrë vlerësime të larta. Disa kritika të tanishme ndërkombëtare ndaj OBSh-së janë joshkencore dhe nuk përputhen me realitetin. Zyra përfaqësuese e OBSh-së në Shqipëri ka mbajtur gjithmonë shkëmbime të ngushta me institucionet përkatëse të Shqipërisë dhe e ka ndihmuar palën shqiptare në parandalimin e epidemisë, trajtimin e pacientëve dhe përgatitjen e specialistëve profesionistë, duke ofruar materiale ndihmëse dhe raporte të analizës së gjendjes epidemike. Zyra e OBSh-së në Shqipëri dëshiron forcimin e bashkëpunimit me ambasadën kineze, për të dhënë ndihmesë të përbashkët në luftën antiepidemike dhe për përmirësimin e kushteve shëndetësore në Shqipëri.

Suggest To a Friend:   
Print