Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasada kineze në Tiranë, pritje për 70-vjetorin e krijimit të RPK-së
2019/09/27

Ambasada e Kinës në Shqipëri zhvilloi të martën një pritje në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, me rastin e 70-vjetorit të krijimit të Republikës Popullore të Kinës. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm mbi 600 veta, duke përfshirë presidentin shqiptar Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi, ministren e Kulturës Elva Margariti, kryetaren e partisë LSI Monika Kryemadhi, kryetarin e grupit të miqësisë Shqipëri-Kinë në Kuvendin e Shqipërisë Bashkim Fino, zv.ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Redi Shtino, sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme Armand Skapi etj. Ndodheshin gjithashtu edhe ish-presidentët e Shqipërisë Rexhep Mejdani e Bujar Nishani, ish-kryetarët e Kuvendit Skënder Gjinushi dhe Kastriot Islami, miq nga qarqe të ndryshme, pjesëtarë të trupit diplomatik në Shqipëri, përfaqësues të institucioneve kineze dhe të kinezëve që gjenden në Shqipëri etj.

 

Ambasadori kinez Zhou Ding shprehu së pari ngushëllime të thella për tërmentin që goditi ditët e fundit Shqipërinë, tërmeti më i fortë në 30 vjetët e fundit. Ai tha se populli kinez dhe ambasada kineze do të qëndrojnë gjithmonë pranë popullit shqiptar.

Ambasadori Zhou Ding theksoi më tej që gjatë shtatë dekadave të fundit, duke iu përmbajtur rrugës së socializmit me karakteristika kineze, Kina është kthyer nga një vend i varfër dhe i rraskapitur nga lufta në ekonominë e dytë më të madhe në botë, në tregtuesen më të madhe të mallrave dhe në një qendër udhëheqëse në inovacion.

Kina është bërë një vend me GDP për frymë afërsisht 10 mijë dollarë amerikanë dhe me shtresën e mesme më të madhe në botë, që arrin tashmë më shumë se 400 milionë veta.

Vitet e fundit, Kina ka kontribuuar për më shumë së 30 për qind të rritjes globale, duke shërbyer si një "spirancë" dhe "motor" për ekonominë botërore.

"Ne jemi shumë krenarë për arritjet dhe rrugën që kemi zgjedhur dhe kemi gjithashtu besim të plotë për të ardhmen. Përgjatë dekadave të kaluara, Partia Komuniste e Kinës dhe qeveria kineze gjithmonë e kanë vënë popullin në vend të parë. Qëllimi ynë themelor për zhvillimin nuk është gjë tjetër veçse përmbushja e shpresave të qytetarëve për një jetë më të mirë. Kina gjithmonë është e angazhuar në një politikë të jashtme të pavarur të respektit të ndërsjellë dhe bashkekzistencës paqësore," theksoi ambasadori Zhou.

Ai shtoi më tej se vizioni i presidentit Xi Jinping për nxitjen e një tipi të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ndërtimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët të njerëzimit ka dhënë si kontribut planin e Kinës për paqen dhe përparimin botëror. Kina është gjithmonë e angazhuar në bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta, multilateralizmin dhe tregtinë e lirë.

Duke ndjekur parimin e konsultimeve dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, nisma “Një brez, një rrugë” ofron një platformë të rëndësishme për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe krijon hapësira të reja për rritjen globale, theksoi përfaqësuesi i diplomacisë kineze në Shqipëri.

Më tej ai vuri në dukje se Kina dhe BE-ja janë mbështetëse të forta të multilateralizmit dhe të sistemit tregtar shumëpalësh. Si një mike e veçantë e Shqipërisë, Kina mbështet me vendosmëri anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe përshëndet çdo përparim të bërë nga Shqipëria.

Ambasadori Zhou vuri në dukje se sivjet është gjithashtu 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Shqipërise. Përgjatë viteve, të dy vendet kanë gëzuar një miqësi të thellë, prej së cilës kanë përfituar të dy popujt. Të nxitur nga bashkëpunimi në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" dhe mekanizmi i “Bashkëpunimit 17+1”, të dy vendet kanë thelluar besimin e ndërsjellë politik dhe kanë rritur shkëmbimet e bashkëpunimin në tregti, kulturë, arsim, turizëm dhe burimet njerëzore. Kina dhe Shqipëria janë duke e kthyer potencialin e madh në rezultate të prekshme.

"Pres me padurim të punoj me të gjithë ju për të krijuar një të ardhme edhe më të ndritur për dy popujt dhe dy vendet tona,” tha ambasadori kinez në Tiranë Zhou Ding.

Të ftuarit shprehën urimet e tyre të ngrohta për 70-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe vlerësuan lart arritjet e zhvillimit të Kinës dhe rolin konstruktiv të saj në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale, duke shprehur besimin e plotë për të ardhmen e marrëdhënieve kino-shqiptare.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta tha se në 70 vjetët e fundit, Kina ka pasur arritje të paimagjinueshme, të cilat kanë ardhur nga këmbëngulja në traditën, si edhe nga aftësia e popullit kinez në krijimin e risive. Si në të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen e në të ardhmen, Kina ka luajtur, po luan dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Shqipëria dhe Kina po përpiqen të krijojnë marrëdhënie miqësore të hapura e me përfitime të ndërsjella, në të mirë të të dy vendeve dhe të dy popujve. Pala shqiptare shpreson në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Kinën dhe në shfrytëzimin e mundësive që ka sjellë zhvillimi i Kinës.

 

Pritja u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë. Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë ishte zbukuruar edhe më shumë me parullën e madhe për 70-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe me fenerë të kuq të mëdhenj. Mysafirët shikuan së bashku videot "Realizimi i ëndrrave: Kina 2019", "Kina e bukur" etj. Në këtë muze janë hapur gjithashtu edhe "Ekspozita ndërkombëtare për festimin e 70-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës" dhe "Ekspozita e veprave artistike tradicionale të Nankinit me temën e 'Një brez, një rrugë'", nëpërmjet të cilave të pranishmit u njohën në mënyrë të drejtpërdrejtë me procesin e shkëlqyer të zhvillimit të Kinës gjatë 70 vjetëve dhe arritjet e mëdha në fushat e ndryshme.

Artistët nga Shoqata e Muzikantëve e Pekinit dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve i Shqipërisë interpretuan për të pranishmit. Artistët kinezë shfaqën pjesë klasike kineze me veglat tradicionale kombëtare, si suona, pipa, erhu etj., kurse artistët shqiptarë pjesë muzikore tradicionale shqiptare. "Oda e gëzimit", e interpretuar së bashku nga artistët kinezë dhe shqiptarë, ishte melodia kryesore e kësaj pritjeje. Më në fund, përfaqësuesit e të dy vendeve kënduan së bashku "Unë dhe atdheu im".

 

Televizioni Qendror i Kinës, agjencia e lajmeve "Xinhua", Radio e Jashtme e Kinës, ATSh-ja, TVSH-ja, "News 24", "Ora News", "Gazeta shqiptare", "Albanian Daily" dhe media të tjera kryesore shqiptare njoftuan për këtë pritje.

Suggest To a Friend:   
Print