Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Hapet në Tiranë ekspozita e veprave artistike tradicionale të Nankinit
2019/09/25
Më 23 shtator, u hap në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë ekspozita e veprave artistike tradicionale të Nankinit, e titulluar "Aromë arti - 'Një brez, një rrugë'". Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin të pranishëm ambasadori kinez Zhou Ding, zv.ministrja e Kulturës e Shqipërisë Valbona Shujaku, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi, drejtori i Komisionit të Arsim-Shkencë-Kulturës të Asamblesë Popullore të qytetit Nankin Chen Wei, si dhe rreth 200 përfaqësues nga organizata dhe qarqe të ndryshme, si Shoqata Kulturore Alb-China, Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Kinë etj.
 
Në fjalimin e rastit, ambasadori Zhou Ding vuri në dukje se gjatë këtyre 70 vjetëve, me gjithë kalimin e kohës, ndryshimin e sistemeve dhe dallimet kulturore, miqësia kino-shqiptare ka hedhur rrënjë në thellësinë e zemrave të të dy popujve. Ai tha se ndër autorët e veprave të ekspozitës ka artistë të brezit të vjetër e të mesëm, por edhe studentë e nxënës të shkollave të mesme, çka është diçka e gëzueshme dhe inkurajuese, sepse kjo miqësi po trashëgohet në brezin e ri. Përfaqësuesi diplomatik i Kinës në Shqipëri është i bindur se ekspozita është jo vetëm në dobi të mësimit të ndërsjellë mes artistëve të të dy vendeve, por edhe ndihmon në lidhjen e zemrave të të dy popujve, duke hedhur bashkërisht gurët e themelit të marrëdhënieve tradicionale miqësore midis Kinës e Shqipërisë.
 

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi u shpreh se artet tradicionale kanë përmbajtje të larmishme dhe janë përfaqësuese të kulturës kineze. Ai beson se kjo ekspozitë artistike do t'i ndihmojë shqiptarët të njohin magjinë e veçantë të artit kinez dhe të kulturës së lashtë kineze. Z. Koçi theksoi se Muzeu Historik Kombëtar është i gatshëm të mbështesë aktivisht shkëmbimet mes artistëve të të dy vendeve, për të ngritur nivelin e bashkëpunimit dypalësh në fushën kulturore.

Ndërsa z. Chen Wei u shpreh se Nankini është një nga katër kryeqytetet e lashta të Kinës. Historia e gjatë dhe kultura e thellë e tij kanë formuar një stil artistik unik. 12 llojet e artit vendor, si yunjin etj., janë në listën e trashëgimive kulturore jomateriale botërore. Ai shpreson që, nëpërmjet kësaj ekspozite, do të nxiten më tej shkëmbimet kulturore e njerëzore dhe miqësia tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë dhe që më shumë miq shqiptarë të dashurojnë artin dhe kulturën kineze.

Në ekspozitën dyditore të zhvilluar në kuadrin e 70-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës, u paraqitën 71 vepra artistike tradicionale kineze, si piktura, bukurshkrime e letra të prera, të cilat pasqyrojnë bukurinë e artit kinez dhe shprehin miqësinë kino-shqiptare.

 
Suggest To a Friend:   
Print