Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasada kineze organizon pritje për përcjelljen e studentëve për në Kinë
2019/08/28

Ambasada e Kinës në Shqipëri zhvilloi më 22 gusht një pritje për studentët shqiptarë që kanë studiuar në Kinë dhe për të rinjtë shqiptarë që do të studiojnë në Kinë në vitin 2019. Në këtë pritje morën pjesë ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding, zv.ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lorena Haxhiu, drejtori i Drejtorisë së Amerikës, Paqësorit, Azisë dhe Afrikës në Ministrinë e Jashtme Kastriot Robo, përfaqësues të studentëve shqiparë në Kinë në periudha të ndryshme, si dhe përfaqësues të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, të Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë, të Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Kinë dhe të Institutit "Konfuci" pranë Universitetit të Tiranës.

     

Ambasadori Zhou shprehu urime për të rinjtë shqiptarë që kanë fituar bursën e qeverisë kineze për studimet në Kinë. Ai i inkurajoi ata ta shfrytëzojnë këtë mundësi që të njohin rrugën dhe konceptin e veçantë të zhvillimit të Kinës, të shijojnë kulturën e hapur, të shumëllojshme e gjithëpërfshirëse dhe të japin kontribut për vazhdimin e miqësisë kino-shqiptare.

Z. Zhou shprehu nderimin e tij për studentët shqiptarë që kanë studiuar në Kinë dhe tha se ata kanë qenë përkrahësit e miqësisë kino-shqiptare dhe nxitësit e bashkëpunimit miqësor midis dy vendeve.

     

Bashkëpunimi kino-shqiptar në fushën e arsimit dhe shkëmbimet midis të rinjve janë shtuar gjithnjë e më shumë dhe janë ngritur në cilësi. Qysh nga vitet '90 të shekullit të kaluar e deri më sot, të dyja palët kanë dërguar reciprokisht afro 200 studentë me bursa qeveritare dhe kanë nënshkruar shumë marrëveshje të bashkëpunimit arsimor, të cilat krijojnë një urë të fortë dhe të gjerë miqësore midis dy vendeve.

Zv.ministrja Lorena Haxhiu vlerësoi lart gjendjen aktuale të bashkëpunimit arsimor dhe shkëmbimeve rinore ndërmjet dy vendeve. Ajo ndau edhe përshtypjet e saj nga vizita e kohëve të fundit në Kinë. Znj. Haxhiu shprehu shpresën se Qendra e Zhvillimit të të Rinjve "17+1" do të krijohet sa më shpejt në Shqipëri dhe e inkurajoi kontingjentin e ri të studentëve shqiptarë në Kinë të njohin gjithanshëm historinë, kulturën dhe aktualitetin e Kinës, të pasurojnë jetën e tyre dhe t'i shërbejnë atdheut pas studimeve.

Suggest To a Friend:   
Print