Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasada kineze në Tiranë organizoi Festivalin e Ushqimit të Sichuan-it
2019/05/01

Më 26 prill, si një ndër aktivitetet festive seri në kuadër të 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kinë-Shqipëri, ambasada e Kinës në Tiranë organizoi Festivalin e Ushqimit të Sichuan-it. Në këtë event ishin të pranishëm kryetari i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kinë të Kuvendit dhe ish-kryeministri Bashkim Fino, Sekretari i Pergjithshëm i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Adrian Kamenica, si dhe mbi 300 përfaqësues të qeverisë, kuvendit e qarqeve të ndryshme shqiptare, sipërmarrës dhe qytetarë kinezë që punojnë në Shqipëri.

        

Në festivalin e mbrëmjes, të ftuarit shijuan gatime speciale të ushqimit të Sichuan-it si Ma'po Toufu (djathë soje i fërguar djegës) dhe fetë pikante e djegëse të mishit e të të brendshmeve të viçit etj., duke provuar raki orizi kineze dhe duke shijuar shfaqje artistike tradicionale të provincës Sichuan si opera e "Ndërrimit të maskave", këngë folklorike etj. Shijet e veçanta dhe interpretimet e bukura të artistëve u mirëpritën ngrohtësisht nga pjesëmarrësit.

Në fjalimin e rastit, drejtori i Zyrës së Çështjeve të Emigrantëve të provincës Sichuan, Ren Wensu u shpreh se vitet e fundit, shkëmbimet miqësore midis Sichuanit dhe Shqipërisë u shtuan në mënyrë të dukshme. Grupet artistike e Festa e Fenerëve e provincës u takuan njëra pas tjetrës me spektatorin shqiptar. Ai shprehu shpresën se organizimi i Festivalit të Ushqimit mund të ngjallë interesimin e më shumë banorëve shqiptarë për njohjen e Kinës në dobi të nxitjes së bashkëpunimit midis dy vendeve.

Ndërsa, z. Kamenica tha në fjalimin e tij se ushqimi i Sichuan-it mirëpritet gjerësisht nga popuj të ndryshëm të botës dhe kuzhina është një pjesë e rëndësishme përbërëse e kulturës së një vendi. Sipas tij, nisma "Një brez, një rrugë" dhe mekanizmi i Bashkëpunimit "16+1" kanë ofruar shanse bashkëpunimi për dy vendet. Në vitin 2018, numri i turistëve kinezë që vizituan Shqipërinë u rrit 65%. Me rastin e jubileut të 70-të të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe, Shqipëria dëshiron të shfrytëzojë më shumë mundësi bashkëpunimi në fusha të ndryshme me palën kineze.

       

Në festivalin, ambasadori kinez në Shqipëri, z. Zhou Ding vuri në dukje në fjalimin se provinca Sichuan, vlerësuar si Vendi Qiellor me Begati, është plot me peizazhe të bukur dhe njerëz të talentuar. Kultura e lashtë Ba'Shu (Kultura Chongqing-Sichuan) është përfaqësuese e shquar e kulturës kineze.

"Në Kinë kemi nje shprehje, "Ushqimi është nevojë parësore për njerëzit". Në Shqipëri ka gjithashtu një shprehje "Dashuria vjen nga stomaku". Të dyja shprehjet tregojnë rëndësinë e ushqimit në jetë. Shpresoj që ju, përmes shijimit të kuzhinës dhe rakisë së Sichuan-it, të njihni më mirë Kinën dhe Sichuan-in, të forcohet lidhja midis dy popujve tanë, duke sjellë më shumë shkëmbime të kulturave ushqimore dhe bashkëpunimin turistik mes Kinës dhe Shqipërisë", shtoi z. Zhou.

Ai theksoi se sivjet është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë dhe ky është rasti i mirë i ngritjes së mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe. Pala kineze, bashkë me partnerët e tjerë të Bashkëpunimit "16+1", do ta mbështesin palën shqiptare për themelimin në Tiranë të Qendrës së Zhvillimit Rinor të Kinës dhe Vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe për organizimin e Forumit të 4-t të Kryebashkiakëve të Kryeqyteteve të Kinës dhe Vendeve të EQL-së. Aktualisht, autoritetet përkatëse kineze dhe shqiptare po shpejtojnë shqyrtimin e eksportit të produkteve cilësore bujqësore nga Shqipëria në tregun kinez. Produktet si mjalti, bulmeti, vaji i ullirit dhe vera shqiptare do të vendosen së shpejti në tryezat e kinezëve.

Sipas ambasadorit kinez, kohët e fundit u mbajt në Pekin Forumi i 2-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar mbi "Një brez, një rrugë". Aktualisht, mbi 150 vende dhe organizata ndërkombëtare, duke përfshirë Shqipërinë, kanë nënshkruar me Kinën dokumente bashkëpunimi për ndërtimin e "Një brez, një rrugë".

"Një brez, një rrugë" ka krijuar hapësira të reja për rritjen ekonomike botërore, duke u bërë rruga e përbashkët e mundësive dhe begatisë për vendet e ndryshme. Kina shpreson që, së bashku me Shqipërinë, të shfrytëzojë sa më plotësisht mekanizmat e "Një brez, një rrugë", për të kontribuuar më shumë për nxitjen e bashkëpunimit dypalësh në fushat infrastrukturore, bujqësore, turistike etj.

Paraditen e po së njëjtës ditë, mjekët vullnetarë kinezë ofruan dhe praktika falas ndaj pacientëve shqiptarë. Në vendorganizimin e aktivitetit, mjekët nga provinca Sichuan praktikuan akupunkturë, masazh mjekësor dhe dhanë këshilla për mjekimin e sëmundjeve të zakonshme, duke dhënë dhe disa informacione mbi njohuritë e Mjekësisë Tradicionale Kineze.

Ky aktivitet u pasqyrua në disa medie shqiptare përfshi RTSH, Albanian Daily News, News 24, Top Channel, ATSh dhe Tirana Times. Veprimtaria u organizua bashkërisht nga Zyra e Çështjeve të Emigrantëve të Këshillit të Shtetit, qeveria e provincës Sichuan dhe ambasada e Kinës në Tiranë.

Suggest To a Friend:   
Print