Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Presidenti i Shqipërisë takon nënkryetarin e KKPPK-së Zhang Qingli
2019/04/22

Presidenti shqiptar Ilir Meta u takua të martën në Tiranë me nënkryetarin e Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK) Zhang Qingli. Z. Zhang kryesoi një delegacion të KKPPK-së që bëri një vizitë në Shqipëri.

Zhang Qingli i përcolli presidentit Ilir Meta përshëndetjet e ngrohta dhe urimet e sinqerta të kryetarit të shtetit të Kinës Xi Jinping. Zhang vuri në dukje se sivjet është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Shqipërisë dhe uroi që miqësia tradicionale mes dy vendeve të vazhdojë edhe në periudhën e re. Pala kineze e çmon besimin e ndërsjellë politik me palën shqiptare dhe dëshiron të zbatojë së bashku me të konsensusin e rëndësishëm të arritur mes liderëve të të dy vendeve, në bazë të parimeve të respektit të ndërsjellë, të barazisë dhe përfitimeve të përbashkëta, duke nxitur marrëdhëniet e bashkëpunimit miqësor kino-shqiptar nëpërmjet nismës "Një brez, një rrugë".

Presidenti shqiptar Ilir Meta nga ana e tij i vlerësoi lart marrëdhëniet miqësore ndërmjet të dy vendeve dhe shprehu urime për 70-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës. Ai falënderoi Kinën për përkrahjen e çmuar ndaj Shqipërisë dhe shprehu dëshirën për forcimin e shkëmbimeve të nivelit të lartë ndërmjet të dy vendeve dhe për thellimin e bashkëpunimit konkret dypalësh në fusha të ndryshme, duke i shtuar gjallëri të re nxitjes së zhvillimit të marrëdhënieve mes Evropës Qendrore e Lindore dhe Kinës.

Zhang Qingli zhvilloi bisedime të veçanta edhe me nënkryetaren e Kuvendit të Shqipërisë Vasilika Hysi dhe disa anëtarë të grupit të miqësisë Shqipëri-Kinë të Kuvendit të Shqipërisë.

Suggest To a Friend:   
Print