Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasada kineze organizon "Dita e Kinës" në shkollat shqiptare
2018/10/04

Në kuadrin e Festës Kombëtare të Kinës, ambasada e Kinës në Shqipëri bashkërisht me Institutin "Konfuci" pranë Universitetit të Tiranës, organizuan dy veprimtari në kuadër të "Ditës së Kinës", përkatësisht në shkollën 9-vjeçare "Musine Kokalari" të Tiranës dhe shkollën e mesme "Ali Demi" të Vlorës, ku janë hapur kurset e gjuhës kineze. Gjatë veprimtarive, të rinjtë shqiptarë shijuan nga afër kulturën e larmishme dhe tërheqëse kineze, nëpërmjet shfaqjeve, njohurive dhe ushqimeve.

Në këto veprimtari mori pjesë edhe ambasadorja kineze Jiang Yu. Ajo tha se vitet e fundit, me ngritjen e gjithanshme të marrëdhënieve kino-shqiptare, "rryma e gjuhës kineze" është përhapur gjithnjë e më shumë në "vendin e shqiponjave" dhe është bërë një nga pikat kryesore të bashkëpunimit e shkëmbimeve njerëzore midis Kinës dhe Shqipërisë. Të rinjtë shqiptarë kanë entuziazëm të madh për mësimin e gjuhës kineze e njohjen e Kinës dhe, në përputhje me këtë situatë, është zgjeruar rrjeti i mësimdhënies së gjuhës kineze në shkolla të ndryshme shqiptare. Njëkohësisht, edhe mësimdhënia e gjuhës shqipe në Kinë ka pasur një përparim vitet e fundit. Krahas Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit, edhe Universiteti i Studimeve Ndërkombëtare i Pekinit hapi degën e gjuhës shqipe dhe po kërkon aktivisht thellimin e bashkëpunimit në mësimdhënie me shkollat e larta shqiptare. Ambasada kineze shpreson se nëpërmjet veprimtarive të "Ditës së Kinës", të rinjtë shqiptarë do të njohin kulturën dhe traditat kineze nga këndvështrime më të pasura dhe do të bëhen misionarë të miqësisë e të shkëmbimeve kulturore dhe njerëzore midis dy vendeve.

    

Drejtori i shkollës 9-vjeçare "Musine Kokalari" tha se veprimtaria e "Ditës së Kinës" do të mbjellë farën e miqësisë shqiptaro-kineze në zemrat e nxënësve. Nga ana e tij, drejtori i shkollës së mesme "Ali Demi" të Vlorës shprehu shpresën se do të forcohet bashkëpunimi midis dy palëve, duke hapur më shumë kurse të gjuhës kineze për plotësimin e kërkesave të nxënësve.

    

Ambasadorja Jiang Yu u dha 12 nxënësve të dalluar të kurseve të gjuhës kineze të këtyre dy shkollave "Bursën e Ambasadorit Kinez".

    

Suggest To a Friend:   
Print