Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Zv.kryeministrja Senida Mesi viziton ambasadën e Kinës në Shqipëri
2018/01/25

Zv.kryeministrja e Shqipërisë Senida Mesi bëri një vizitë të mërkurën në ambasadën e Kinës në Shqipëri, ku u takua dhe shkëmbeu mendime me ambasadoren Jiang Yu mbi marrëdhëniet Kinë-Shqipëri dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme në vitin e ri. Në këtë takim ishin të pranishëm për palën shqiptare zv.ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Etjen Xhafaj, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme Gazmend Barbullushi dhe drejtori i Drejtorisë së Amerikave, Azisë dhe Afrikës në këtë ministri Kujtim Xhani, kurse për palën kineze këshilltari politik i ambasadës së Kinës në Shqipëri Bai Yunbin dhe këshilltari tregtar i kësaj ambasade Lian Gang.

Ambasadorja Jiang u shpreh që ky vit shënon vitin e parë që Kina zbaton plotësisht frymën e Kongresit të 19-të dhe është gjithashtu viti vendimtar për qeverinë e re shqiptare për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Kina është e gatshme të punojë bashkë me Shqipërinë, për të zbatuar në mënyrë aktive konsensusin e arritur nga liderët e dy vendeve dhe dokumentet e bashkëpunimit të nënshkruara prej tyre, për të nxitur zhvillimin e marrëdhënieve kino-shqiptare dhe për të realizuar arritje të reja. Në vitin 2018, Kina do të festojë 40-vjetorin e Reformës dhe Hapjes, portat e Kinës do të hapen më tej dhe fushat e bashkëpunimit do të zgjerohen, çka me siguri do të ofrojë gjithnjë e më shumë mundësi për bashkëpunimin pragmatik mes Kinës dhe Shqipërisë, vuri në dukje ambasadorja Jiang Yu. Sipas saj, të dy palët duhet të përqendrohen në fusha kyçe si infrastruktura, energjetika, turizmi e kultura dhe do të shfrytëzojnë raste të tilla si organizimi i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës, për të promovuar të gjitha llojet e projekteve të bashkëpunimit dhe për të hedhur një bazë të fortë për marrëdhëniet dypalëshe.

Ambasadorja Jiang theksoi gjithashtu që mekanizmi i "Bashkëpunimit 16+1" është një pjesë dhe shtojcë e rëndësishme e marrëdhënieve Kinë-Europë. Zhvillimi i marrëdhënieve Kinë-Shqipëri nën kornizën e marrëdhënieve Kinë-BE është në të mirë të zhvillimit të Shqipërisë, të procesit të integrimit europian, si dhe të zhvillimit të balancuar të marrëdhënieve Kinë-BE. Kina është e gatshme që, në një mënyrë të hapur dhe gjithëpërfshirëse, të zhvillojë bashkëpunim trepalësh me vendet e tjera nën kornizën e "Bashkëpunimit 16+1", për të arritur përfitime të përbashkëta, vuri në dukje përfaqësuesja e diplomacisë kineze në Shqipëri Jiang Yu.

Zv.kryeministrja e Shqipërisë Senida Mesi nga ana e saj u shpreh që qeveria e re shqiptare i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Kinën dhe ka besim të plotë në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme.

Nisma "Një Brez, Një Rrugë" dhe "Bashkëpunimi 16+1" të iniciuar nga Kina, vuri në dukje numri dy i qeverisë shqiptare, kanë krijuar një platformë të gjerë për shtimin e marrëdhënieve dypalëshe. Në vitin e ri, pala shqiptare do të punojë së bashku me palën kineze, për të kryer me seriozitet punët përgatitore për krijimin e Komisionit të Përbashkët Ekonomik e Tregtar Kinë-Shqipëri dhe për pjesëmarrjen në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës, për të realizuar më shumë projekte reale bashkëpunimi dhe për të nxitur një përparim më të madh të marrëdhënieve dypalëshe, theksoi zv.kryeministrja Mesi.

Suggest To a Friend:   
Print