Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Tiranë: Ambasada kineze dhe Arkivi Qendror i Filmit organizojnë një pritje
2017/12/21

Ambasada e Kinës në Shqipëri dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit i Shqipërisë organizuan bashkërisht të hënën një pritje, ku ishin të ftuar personalitete të qarqeve të ndryshme të vjetër dhe të rinj, për të kujtuar së bashku vitet e paharrueshme të miqësisë tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë. Në këtë pritje ishin të pranishëm ambasadorja kineze Jiang Yu dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës kineze, ministrja shqiptare e Kulturës Mirela Kumbaro, drejtorja e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit Iris Elezi, drejtori i fotografisë i filmit dokumentar "Vizita e kryeministrit Çu En Lai në Shqipëri", regjisori dhe aktorët kryesorë të filmit "Ngjadhnjim mbi vdekjen", kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë Spartak Nano, kryetari i Shoqatës Kulturore "Alb-China" Iljaz Spahiu, përfaqësues të rinj të partive politike, profesorë dhe studentë të Institutit "Konfuci" në Universitetin e Tiranës, përfaqësues të institucioneve kineze dhe të kinezëve që jetojnë në Shqipëri etj.

Në pritje u shfaq filmi dokumentar "Vizita e kryeministrit Çu En Lai në Shqipëri", për vizitën e kryeministrit të atëhershëm kinez Çu En Lai në Shqipëri në vitin 1964, filmi dokumentar për një vizitë të një grupi artistik shqiptar në Kinë në vitin 1972, si edhe një pjesë nga filmi artistik "Ngjadhnjim mbi vdekjen".

Ambasadorja Jiang Yu u shpreh në këtë pritje se Kina dhe Shqipëria kanë një miqësi tradicionale. Filmat si një formë artistike ekspresive dhe tërheqëse kanë mbartur ndjenjat e thella të të dy popujve për njëri-tjetrin dhe janë bërë një simbol i rëndësishëm i miqësisë midis Kinës dhe Shqipërisë. Prodhuesit e filmave të të dy vendeve kanë dhënë kontribut të veçantë historik për nxitjen e miqësisë midis dy popujve. Gjatë viteve '60 - '70 të shekullit të kaluar, shkëmbimet politike dhe kulturore midis dy vendeve ishin shumë të ngushta. Ish-kryeministri kinez Çu En Lai bëri tri vizita në Shqipëri, madje një herë ai e kremtoi Vitin e Ri në Shqipëri. Pikërisht në bazë të kushteve të njëjta historike, filmat shqiptare me temën e luftës antifashiste, si "Ngjadhnjim mbi vdekjen", "I teti në bronz" etj., që tregojnë shpirtin e papërkulur të popullit shqiptar, dhe filmat kinezë "Vajza me flokë të bardhë", "Basketbollistja me numër 5" etj., që pasqyrojnë ndryshimet kohore dhe frymën e luftës këmbëngulëse, janë shumë të mirëpritur në Kinë dhe në Shqipëri dhe janë bërë kujtimi i përbashkët i një brezi të kinezëve dhe të shqiptarëve. Miqësia e thellë midis dy popujve ka krijuar një bazë të thellë shoqërore dhe njerëzore për zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve kino-shqiptare. Këtu, vazhdoi ambasadorja Jiang Yu, është brezi i vjetër që kanë parë dhe kanë qenë dëshimtarë të zhvillimit të marrëdhënieve kino-shqiptare, është edhe brezi i ri që është i përfshirë aktivisht në çështjen e miqësisë midis Kinës dhe Shqipërisë. Ne i rishikojmë këta filma të vjetër, me qëllim që të marrim energji të re dhe t'i shtojmë një shkëlqim të ri miqësisë kino-shqiptare në etapën e re.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro shprehu nga ana e saj nderimin për brezat e vjetër të kineastëve dhe aktorëve dhe i falënderoi për kontributin historik që kanë dhënë për shkëmbimet kulturore midis Shqipërisë dhe Kinës. Ajo theksoi se kultura dhe artet i kalojnë kufijtë dhe politikën. Pikërisht filmat i kanë lidhur ngushtë të dy popujt, që janë të ndarë nga mijëra male dhe lumenj. Pala shqiptare dëshiron të forcojë pandërprerë bashkëpunimin kulturor midis dy vendeve. Prodhuesit e filmave shqiptarë të sipërpërmendur kujtuan me ndjenjë të thellë historinë e shkëmbimeve miqësore me popullin kinez dhe u shprehën se janë shumë të emocionuar dhe të lumtur që filmat e prodhuar nga ata i kanë sjellë përsëri pranë të dy popujt.

Studentët e Institutit "Konfuci" të Universitetit të Tiranës dhe studentët kinezë në Shqipëri kënduan bashkë këngën e filmit "Ngjadhnjim mbi vdekjen".

Suggest To a Friend:   
Print