Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Tiranë: Ambasada kineze, pritje për studentët shqiptarë në Kinë
2017/08/04
 

Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë ka organizuar ditët e fundit një pritje të posaçme për studentët shqiptarë që kanë studiuar ose do të shkojnë për studim në Kinë, ku morën pjesë pjesëtarët e personelit të ambasadës, përfaqësues të Institutit "Konfuci" e të kompanive kineze në Shqipëri, si dhe mbi 100 të ftuar nga pala shqiptare.

Në pritje, ambasadorja Jiang Yu u dorëzoi letrat e njoftimit studentëve shqiptarë që kanë fituar bursat e studimit të ofruara nga qeveria kineze. Në fjalën e vet të rastit, ajo u shpreh:

"Sot ndodhen këtu studentët e parë që kanë shkuar në Kinë para dhjetëra vjetësh, si edhe studentët e rinj që do të nisin udhëtimin e tyre drejt Kinës. Jemi dëshmitarë dhe protagonistë të shkëmbimeve miqësore kino-shqiptare. Kemi krijuar një historik prej tre brezash të studentëve shqiptarë në Kinë, të cilët kanë përjetuar më nga afër historinë e gjatë të miqësisë kino-shqiptare. Ky është treguesi më i mirë i kalimit të pishtarit të kësaj miqësie brez pas brezi."

Znj. Jiang theksoi se në vitet '60 - '70 të shekullit të kaluar, një numër i madh studentësh shqiptarë udhëtuan drejt Kinës së largët, duke kaluar vitet më të bukura të rinisë së tyre në universitetet e famshme kineze, si Universiteti i Pekinit, Universiteti "Tsinghua", Universiteti i Gjuhës e i Kulturës dhe, që nga ajo kohë, ata janë lidhur fort me Kinën. Pas kthimit në Shqipëri, ata kanë bërë një punë të shkëlyer kudo ku kanë punuar, duke dhënë një ndihmesë të rëndësishme për thellimin e njohjes midis dy popujve.

Përfaqësuesja diplomatike e Kinës në Shqipëri vuri në dukje gjithashtu se, në njëzet vjetët e fundit, shkëmbimet dhe bashkëpunimi kino-shqiptar janë thelluar më shumë. Gjithnjë e më shumë të rinj e të reja shqiptarë po shkojnë në Kinë për të studiuar dhe punuar, duke u bërë trashëgues të miqësisë ndërmjet dy popujve. Sivjet, 16 studentë shqiptarë kanë fituar bursa studimi nga Kina dhe do të shkojnë në Pekin, Shangai e qytete të tjera për të studiuar ekonomi, mjekësi, arkitekturë, matematikë etj.

Përveç urimeve, ambasadorja kineze në fjalimin e vet shprehu edhe dëshirën që fituesit e këtyre bursave të studiojnë me zell, të zgjerojnë vizionin dhe të shërbejnë si ambasadorë të shkëmbimeve kulturore dhe miqësisë mes dy vendeve.

Znj. Jiang Yu vuri në dukje gjithashtu:

"Truri është e ardhmja. Nën orientimin e iniciativës 'Një brez, një rrugë' dhe 'Bashkëpunimit 16+1', marrëdhëniet kino-shqiptare kanë hyrë në rrugën e zhvillimit të gjithanshëm dhe të shpejtë. Të dyja palët kanë më shumë kërkesa për ekspertë që zotërojnë të dyja gjuhët dhe me njohuri profesionale. Duke pasur vizionin për të ardhmen, ne do t'i kushtojmë edhe më shumë rëndësi mbledhjes, tërheqjes e kualifikimit të sa më shumë profesionistëve, në mënyrë që zhvillimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve dypalëshe të gjejë mbështetje shoqërore."

Në pritje mbajtën fjalime si përfaqësues përkatësisht të brezit të vjetër dhe atij të ri të studentëve shqiptarë, z. Iljaz Spahiu, kryetar i Shoqatës së Kulturës Shqipëri-Kinë, i diplomuar në vitin 1978 në Universitetin e Pekinit, dhe Rudor Novi, menaxher i shitjeve i degës së kompanisë kineze "Huawei" në Shqipëri, i diplomuar në vitin 2015 në Universitetin e Shkencave dhe të Teknologjisë të Pekinit. Ata ndanë përvojat e tyre të univertitetit, shprehën ndjenjat e tyre për Kinën dhe i inkurajuan të rinjtë shqiptarë që do të hapin një faqe të re të jetës së tyre në Kinë, ta çmojnë këtë mundësi e të studiojnë me zell në të mirë të miqësisë kino-shqiptare.

Pritja kaloi në një atmosferë të gëzuar. Disa prej të ftuarve formuan grupin e bisedës në aplikacionin në celular "Wechat". Atmosfera u ndez veçanërisht kur një bandë muzikore shqiptare interpretoi melodi të njohura kineze dhe një kuzhinier kinez paraqiti prodhimin e makaronave karakteristike lamian, të cilat janë makarona të veçanta që bëhen me dorë duke zgjatur brumin.

Suggest To a Friend:   
Print