Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasadorja kineze, vizitë në Dhomën e Tregtisë e të Industrisë të Tiranës
2017/06/14
 

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu bëri të hënën një vizitë në Dhomën e Tregtisë dhe të Industrisë të Tiranës, ku zhvilloi diskutime me presidentin e kësaj Dhome Nikolin Jaka, lidhur me gjendjen e biznesit mes dy vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit konkret. Në takim ishte i pranishëm edhe këshilltari ekonomik i ambasadës kineze, Lian Gang.

Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë e Tiranës është një nga shoqatat tregtare me ndikim më të madh në Shqipëri. Misioni i saj është zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare të Shqipërisë me vendet e tjera. Ajo është një platformë e rëndësishme për hyrjen e kompanive të huaja në tregun shqiptar.

Shqipëria është një partnere e rëndësishme ekonomiko-tregtare e Kinës në rajonin e Ballkanit. Ekziston një hapësirë e madhe për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dypalësh, veçanërisht në fushën e përpunimit të produkteve bujqësore dhe të turizmit.

Ambasadorja Jiang Yu theksoi se gjatë vitit të kaluar, marrëdhëniet ekonomiko-tregtare mes Kinës dhe Shqipërisë kanë bërë hapa të mëdhenj përpara, si marrja me koncesion nga një kompani kineze e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe blerja nga një sipërmarrje tjetër kineze e kompanisë së naftës "Bankers". Kina është një burim kryesor i investimeve të huaja në Shqipëri. Tregtia globale vazhdon rritjen e vet të dobët, ndërsa vëllimi i tregtisë mes Kinës e Shqipërisë ka pasur një rritje të qëndrueshme me afro 9.3%.

Kina është partnerja e tretë më e madhe tregtare e Shqipërisë. Me shkëmbimet gjithnjë e më të ngushta ekonomike e tregtare, bashkëpunimi mes dy vendeve ka vazhduar të pasurohet. Qeveritë dhe institucionet përkatëse duhet të përpiqen për të nxitur kompanitë e të dy vendeve të thellojnë bashkëpunimin pragmatik në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" dhe mekanizmit të "Bashkëpunimit 16+1", për të kërkuar impulse të reja dhe për të zgjeruar hapësirat e reja të zhvillimit.

Ambasadorja Jiang tha gjithashtu se ambasada e Kinës është e gatshme të mbajë lidhje të ngushta me sektorët dhe institucionet përkatëse në Shqipëri, për të krijuar një platformë bashkëpunimi mes kompanive kineze dhe atyre shqiptare. Ajo u shpreh që, në nëntor të këtij viti, Dhoma e Tregtisë e Kinës do të organizojë pjesëmarrjen e kompanive kineze në Ekspozitën e 24-t Ndërkombëtare të Tiranës. Kina shpreson që të dyja palët do ta shfrytëzojnë këtë platformë, për të thelluar shkëmbimet, për të gjetur një model më efikas bashkëpunimi dhe për t'u dhënë gjallëri të re marrëdhënieve ekonomike dypalëshe.

Nga ana e tij, z. Nikolin Jaka vuri në dukje se Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë e Tiranës është e gatshme të nxitë forcimin e tregtisë mes Kinës e Shqipërisë nëpërmjet promovimit të kompanive kineze, duke u dhënë atyre informacione dhe duke u krijuar mundësi që të eksplorojnë tregun shqiptar.

Jaka tha gjithashtu se vitet e fundit, të dyja palët kanë shpeshtuar vizitat e nivelit të lartë dhe marrëdhëniet dypalëshe kanë një bazë të fortë politike dhe kanë krijuar kushte të favorshme për bashkëpunim mes kompanive të të dyja vendeve. Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë e Tiranës është e gatshme që të ruajë bashkëpunimin e mirë dhe të japë kontribut pozitiv për tregtinë dypalëshe.

Suggest To a Friend:   
Print