Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Çelet projekti i bashkëpunimit për burimet njerëzore Kinë-Shqipëri
2017/04/27

Të mërkurën u zhvillua ceremonia e fillimit të projektit të bashkëpunimit në fushën e burimeve njerëzore midis Kinës dhe Shqipërisë. Gjatë kësaj ceremonie ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu u takua me Zv/Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Rebani Jaupi dhe me kontingjentin e parë të atyre që do të shkojnë në Kinë për t’u trajnuar në kuadër të këtij projekti. Ishin të pranishëm gjithashtu dhe atasheu ushtarak i ambasadës kineze Liu Xingjing dhe këshilltari tregtar Lian Gang.

Ambasadorja Jiang Yu u shpreh se në qershor të vitit 2016, këshilltari i Shtetit i Kinës Yang Jing vizitoi Shqipërinë, ku u takua ndër të tjera edhe me zv.kryeministrin shqiptar Niko Peleshi, duke arritur konsensus me të lidhur me bashkëpunimin për burimet njerëzore. Në nëntor të po atij viti kryeministri kinez Li Keqiang dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama ishin të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të "Memorandumit të mirëkuptimit mbi zhvillimin e burimeve njerëzore midis Ministrisë së Tregtisë të Kinës dhe Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë". Për të vënë në jetë memorandumin, të dyja palët vendosën të fillojnë bashkëpunimin në fushën e zhvillimit të burimeve njerëzore që nga viti 2017. Këtë vit planifikohet të zhvillohen dy sesione të projektit të trajnimit në Kinë, duke bashkëpunuar lidhur me burimet njerëzore në fushat e politikave të sigurisë dhe të bujqësisë e të ruajtjes së burimeve ujore.

Ambasadorja Jiang Yu theksoi se Kina dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të mira bashkëpunimi në fushën e politikave të sigurisë. Policia shqiptare ka ofruar mbështetje të madhe për sipërmarrjet dhe stafin kinez në Shqipëri. Gjatë vizitave të liderëve kinezë në Shqipëri, policia shqiptare ka ofruar të gjithë mbështetjen për të garantuar sigurinë e këtyre vizitave. Pala kineze shpreh falenderimin e vet për këtë mbështetje. Përfaqësuesja diplomatike e Kinës në Shqipëri shprehu shpresën se të dyja palët do të shfrytëzojnë këtë platformë të rëndësishme, për të forcuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë etj., për të forcuar komunikimin dhe për të çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe.

Zv/Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Reban Jaupi u shpreh nga ana e tij se projekti i parë që po zbatohet lidhur me punën e policisë, jo vetëm tregon se pala kineze e vlerëson lart bashkëpunimin dypalësh në këtë fushë, por është edhe inkuajim e mbështetje për punën e policisë shqiptare. Ai shprehu shpresën se stafi i përzgjedhur për trajnim do ta vlerësojë këtë rast, do të zhvillojë shkëmbime me homologët dhe ekspertët kinezë, duke mësuar nga njëri-tjetri, për të pasur një fillim të mirë të bashkëpunimit dypalësh.

Suggest To a Friend:   
Print